Komuna e Prishtinës lejon për 30 ditë parkingjet private për të menaxhuar trafikun veror
Komuna e Prishtinës ka lejuar përkohësisht operimin e parkingjeve private në territorin e kryeqytetit për një periudhë prej 30 ditësh; sipas njoftimit, vendimi synon të garantojë funksionimin normal të trafikut dhe të menaxhojë kërkesën e shtuar për hapësira parkimi gjatë sezonit veror.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës. Drejtori Leutrim Retkoceri është shprehur: “Prishtina ka nevojë për zgjidhje që garantojnë funksionim, jo bllokim”.
Komuna bën me dije se lejimi i përkohshëm vlen vetëm për parkingjet që përmbushin kushtet e përcaktuara dhe nuk duhet të pengojë trotuaret, hyrje-daljet, qasjen për këmbësorë, automjetet emergjente dhe qarkullimin rrugor.
Vendimi do të mbajë efekt për 30 ditë dhe zbatimi i tij do të vazhdojë deri në përfundimin e procedurave administrative për pajisjen e operatorëve me lejet përkatëse dhe deri në miratimin e Planit të ri të Mobilitetit, sipas njoftimit të Komunës.