Foto: AME apel urgent: mos ndizni zjarre, rritet rreziku nga të nxehtit

AME apel urgent: mos ndizni zjarre, rritet rreziku nga të nxehtit

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) apeloi urgentisht që qytetarët të mos ndezin zjarre gjatë qëndrimeve në hapësira publike dhe në natyrë, duke paralajmëruar se temperaturat e larta të ditëve në vijim rrisin ndjeshëm rrezikun për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve.

AME u bëri thirrje qytetarëve të shmangin ndeja rastësore dhe ndezjet për piknik në fusha dhe pyje. Sipas njoftimit, ndalohet rreptësisht djegia e kashtës, e mbetjeve pas korrjeve dhe e vegjetacionit në ara, praktika që rrit mundësinë e përhapjes së zjarreve gjatë valës së të nxehtit.

Fermerëve u rekomandohet të kontrollojnë sistemet e shkarkimit të gazrave në kombajna dhe traktorë, dhe të kenë bombola funksionale për fikjen e zjarrit si dhe rezervuarë me ujë në fushat ku zhvillohen punimet bujqësore, për të reaguar shpejt në rast nevoje.

AME gjithashtu përmendi rekomandimet e IKSHPK-së që të shmangen punët e rënda fizike në ambiente të hapura nga ora 11:00 deri në 17:00. Autoritetet kërkojnë vigjilencë të shtuar dhe respektim të masave për të reduktuar rrezikun e zjarrvënieve gjatë periudhës së nxehtës.