Apeli në Prishtinë refuzon ankesën dhe vërteton lirimin e Lorik Jasharit
Sipas njoftimit paraprak, Gjykata e Apelit në Prishtinë refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që shpalli aktgjykim lirues për Lorik Jasharin dhe aktgjykim refuzues për Kadri Mustafën dhe Naman Pacollin.
Vendimi i Apelit, i përpiluar më 12 maj 2026, konfirmon aktgjykimin fillestar të datës 10 mars 2025 (PKR.nr.93/2014) nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale kishte paraqitur ankesë, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, dhe kishte propozuar që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin në tërësi. Mbrojtësi i Lorik Jasharit, avokati Kushtrim Palushi, kërkoi që Apeli ta refuzojë ankesën dhe të vërtetojë aktgjykimin e mëparshëm.