Dëmtim i gypit në sheshin Xhorxh Bush, ndërpritet furnizimi me ujë
Gypi i ujësjellësit në sheshin “Xhorxh Bush” u dëmtua dhe furnizimi me ujë për objektet në zonë është ndërprerë, njoftoi Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”. Ndërprerja do të zgjasë deri në sanimin e defektit, bëri të ditur kompania.
Kompania tha se gypi i dëmtuar ka diametër 225 milimetra. Ekipet e mirëmbajtjes janë tashmë në terren për të vlerësuar dëmtimin dhe për të nisur punimet e riparimit.
Raportohet se operatorët ekonomikë të Komunës së Prishtinës e kanë dëmtuar gypin gjatë punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.
Sipas KRU “Prishtina”, për shkak të natyrës më të ndërlikuar të dëmtimit, riparimi mund të kërkojë më shumë kohë, por ekipet do të punojnë që furnizimi me ujë të rikthehet sa më shpejt.