Foto: KPK hap konkurs për 34 prokurorë, 10 vende të rezervuara për komunitetin serb

KPK hap konkurs për 34 prokurorë, 10 vende të rezervuara për komunitetin serb

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për rekrutimin e 34 prokurorëve të rinj, nga të cilat 10 pozita do të jenë të rezervuara për komunitetin serb.

Propozimi për shpalljen e konkursit u miratua gjatë mbledhjes së KPK-së, me shtatë vota për, sipas materialeve të mbledhjes.

U miratua edhe përbërja e Komisionit për rekrutim. Si kryesues i Komisionit u zgjodh Arian Gashi, ndërsa anëtarë të përhershëm u caktuan Elza Bajrami dhe Dardan Vuniqi. Si anëtarë të tjerë u përfshinë Bahri Hyseni dhe Valdrin Krasniqi, ndërsa anëtarë rezervë u caktuan Milot Krasniqi dhe Visar Krasniqi.

Për shqyrtimin e ankesave u vendos që kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, të jetë në krye të komisionit, me anëtarë Shkelzen Ibrahimi dhe Lulzim Sylejmani. Gjatë votimit, Milot Krasniqi abstenoi lidhur me emërimin e Visar Krasniqit si anëtar rezervë.