Dënohen me nga 17 vjet burg dy të akuzuar për vrasjen në qendër të Prishtinës
Në rigjykimin e katërt, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim dënues dhe dënoi Arlind Ahmetin dhe Agron Vllasaliun me dënim unik me nga 17 vjet burgim për rastin e vrasjes në qendër të Prishtinës.
Gjykata i shpalli të akuzuarit fajtorë për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje e kryer me dashje eventuale” dhe i dënoi secilin me nga 15 vjet burgim për këtë vepër; për “Armëmbajtje pa leje” secilit iu caktuan 2 vjet e gjysmë burgim. Aktgjykimin e shpalli gjykatësi i rastit Ilir Foniqi, me anëtaret Fatime Dermaku dhe Ertan Sejfulla.
Të akuzuarve iu vazhdua masa e paraburgimit. Në shpallje morën pjesë mbrojtësit avokatët Driton Musliu dhe Asdren Hoxha dhe pala e dëmtuar, Shemsie Aliu-Sahiti. Viktima identifikohet si N.S.; vrasja ndodhi në nëntor 2017 në qendër të Prishtinës. Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil dhe pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas marrjes së vendimit në formë të shkruar.