Dyshohet për varrezë masive në Zubin Potok, nisin gërmimet e autorizuara

Në fshatin Kalludër e Vogël në komunën e Zubin Potokut po zhvillohen aktualisht gërmime të autorizuara në një lokacion që dyshohet të jetë varrezë masive e personave të zhdukur në konfliktin e Kosovës më 1999.

Operacioni po kryhet me urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, sipas deklaratës së zëdhënëses Arbnora Luta për Euronews Albania. Gërmimet synojnë zhvarrosjen, autopsinë dhe identifikimin e mbetjeve mortore.

Zona ku po zhvillohen këto gërmime është vendosur nën masa të rrepta sigurie, me praninë e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe patrullave të EULEX-it që monitorojnë operacionin gjatë gjithë kohës.

Pak ditë më parë janë arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte të lidhura me ngjarjet në këtë zonë gjatë luftës. Arrestimet lidhen drejtpërdrejt me hetimet për fatin e viktimave të luftës në këtë rajon.

Rasti përfshin rrëmbimin më 19 dhe 23 prill 1999 të 23 shqiptarëve, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shumica të ardhur nga rajoni i Mitrovicës, fati i të cilëve mbetet ende i pasqaruar. Ky është një nga rastet më tragjike të zhdukjeve gjatë luftës në Kosovë.

Sipas raportimeve ende nuk ka konfirmim zyrtar për numrin apo identitetin e trupave që janë gjetur në vendin e gërmimeve, por pretendohet se janë zbuluar mbetje mortore të mbi 20 civilëve shqiptarë. Rrethanat mbeten ende të paqarta dhe hetimet vijojnë.

Ky zhvillim i fundit është një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së një prej plagëve më të rënda të periudhës së konfliktit në Kosovë, ndërsa familjet dhe institucionet shpresojnë në drejtësi dhe njohjen e së vërtetës historike.