Kurti prezanton raportin zyrtar: 12.230 viktima të luftës në Kosovë përfshirë 1.047 fëmijë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, prezantuan për herë të parë raportin zyrtar mbi viktimat e luftës në Kosovë, duke nxjerrë në dritë shifrën e 12.230 personave të vrarë gjatë periudhës 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.

Raporti përmban një kapitull të veçantë që dokumenton 1.047 fëmijë të grupmoshës 0-17 vjeç të cilët humbën jetën gjatë luftës. Përpos fëmijëve që u vranë drejtpërdrejtë, 94 prej tyre kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa fati dhe vendndodhja e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë ende mbetet e panjohur.

Kryeministri Kurti theksoi se ky raport është një ndër hapat më të rëndësishëm për dokumentimin e së vërtetës, ruajtjen e kujtesës historike dhe përpjekjen për drejtësi. Ai bëri thirrje për bashkëpunim nga qytetarët që kanë informacione që mund të ndihmojnë në plotësimin e listave dhe zbardhjen e plotë të krimeve.

Lista aktuale e viktimave është paraprake dhe pritet të plotësohet me dëshmi dhe të dhëna të reja, çka sipas Kurtit është e domosdoshme për arritjen e një kujtese kolektive dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Ndërkohë, kryeministri nuk la pa kritikuar Serbinë për moszbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e dakordësuar më 2 maj 2023 në Bruksel. Ai theksoi refuzimin e Serbisë për të hapur çështjet lidhur me viktimat dhe personat e zhdukur në luftë, duke ndikuar kështu negativisht në procesin e pajtimit dhe drejtësisë.

Ky raport i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës përbën një dokument të rëndësishëm për historinë dhe përpjekjet e vazhdueshme për zbardhjen e tragjedisë që pësoi Kosova gjatë luftës së vitit 1998-1999.