Sekuestrohen 2.6 tonë kokainë pranë brigjeve të Portugalisë, arrestohet edhe një shqiptar
Një operacion ndërkombëtar policor ka çuar në sekuestrimin e më shumë se 2.6 tonëve kokainë në Oqeanin Atlantik, rreth 90 kilometra në jugperëndim të Cape Espichel, pranë brigjeve të Portugalisë. Ky aksion përfshiu bashkëpunimin e autoriteteve portugeze, spanjolle dhe italiane.
Sipas njoftimeve zyrtare, gjatë këtij operacioni janë arrestuar katër persona: dy shtetas spanjollë, një shqiptar që jetonte në Itali dhe një banor i Gjibraltarit. Anija me motor, e cila po transportonte kokainën, u ndalua nga policia portugeze në bashkëpunim me homologët spanjollë dhe italianë.
Vlera e ngarkesës së kapur me shumicë është vlerësuar rreth 78 milionë euro, por pas shpërndarjes me pakicë, kjo shumë mund të arrijë deri në 500 milionë euro, sipas autoriteteve. Droga ishte e ngarkuar në një gomone tip “go fast”, anije të shpejta që përdoren nga rrjetet kriminale për trafikimin e drogës përmes rrugëve detare të Atlantikut.
Hetimet dhe operacioni u koordinuan nga zyra e prokurorit në Brescia, Itali, ndërsa autoritetet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Sipas Europolit dhe burimeve të tjera zyrtare, rrjetet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë taktika si përdorimi i anijeve të shpejta për të shmangur kapjen nga policia dhe për të shpërndarë ngarkesat me drogë në rrugë më të sigurta larg porteve kryesore evropiane.
Rrethanat dhe hollësitë e aktivitetit kriminal mbeten ende të hulumtuara, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të këtij rrjeti dhe rrugëve të trafikimit.