Foto: Ligji i barnave uli dallimet e çmimeve, por zbatimi solli vonesa dhe mungesa

Ligji i barnave uli dallimet e çmimeve, por zbatimi solli vonesa dhe mungesa

Analiza e publikuar nga organizata Demokraci Plus vlerëson se Ligji për çmimin e produkteve medicinale ka kontribuar në uljen e dallimeve të çmimeve të barnave, por zbatimi i tij është shoqëruar me vonesa dhe sfida institucionale që bëjnë të rëndësishme ndjekjen e mëtejshme të zbatimit.

Ligji hyri në fuqi në vitin 2023, por Lista e parë Zyrtare e Çmimeve nisi të zbatohej vetëm në shkurt të vitit 2025, sipas analizës së D+.

Demokraci Plus shënjon se periudha tranzitore u karakterizua me mungesë të çmimeve të deklaruara për një numër produktesh dhe paqartësi në trajtimin e stoqeve ekzistuese, gjë që vështirësoi zbatimin praktik.

Gjatë tranzicionit pati edhe mungesa të përkohshme të disa barnave, duke përfshirë tretësirat infuzive NaCl, siç dokumenton analiza.

Nga anketimi i D+ rezulton se rreth 81% e të anketuarve vazhdojnë të perceptojnë dallime në çmimet e barnave, ndërsa 40% nuk ishin të informuar se çmimi zyrtar duhet të shënohet në banderolë; analiza gjithashtu vëren se në disa raste institucionet publike kanë blerë barna me çmime më të larta se ato të tregut.